Lëvizjet janë të njëjtat. Si fillim, shpallet kriza, ca para hiqen nga disa sektorë për të kaluar aty ku janë nevojat dhe në fund, qeveria shpall paketën që mbron më të dobëtit. E njëjta ndodhi në vitin 2019, pas tërmetit të nëntorit, me pandeminë pak muaj më pas dhe skema po përsëritet me krizën e çmimeve. Institucioni që po i vuan më së shumti këto kriza është Ministria e Arsimit.
Me anë të një Akti Normativ, qeveria i hoqi sektorit edukativ plot 1.6 miliard lekë, thënë ndryshe 3,6 për qind të totalit të parave që kishte marrë më herët, për t’i kaluar tek e ashtuquajtura “Paketa e Rezistencës”. Shkurtimet përfshijnë arsimin e lartë me 600 milionë lekë, atë bazë me 756 milionë dhe arsimin e mesëm me 278 milionë lekë.
“Ulja e nevojave të arsimit, e buxheteve që lidhet me dy nga fushat që janë bërë së fundmi, shërbimet operative dhe pagat e punonjësve të arsimit dhe transportin, është një ulje që krijon probleme”, thotë ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj.
Dhe të gjitha këto shkurtime ndodhin në një kohë, kur sektori i arsimit cilësohet si i nënfinancuar, ndërsa nevoja për breza të mirëkualifikuar është kthyer në nevojë kombëtare. “Është një popullatë ku prindërit janë shumë të uritur për edukimin e fëmijëve, kur institucionet kanë nevojë për kapital human, kur bizneset e ndryshme janë në krizën e gjetjes së personave të aftë për punësim dhe kur shoqëria përballet me situatën e varfërisë dhe pamundësisë për të standardizuar jetën. Ndaj buxheti duhet shtuar, jo të pakësohet”, thotë Malaj.
Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shpenzon më pak për edukimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Nga 4,6 për qind që Kosova e ka këtë tregues, apo Mali i Zi 4,5, në vend kjo vlerë arriti në 2,3 për qind. (A2 Televizion)