
Pesë vite pasi hashtagu “#OscarsSoWhite” shkaktoi debat, grupi pas çmimeve më të famshme kinematografike ka vendosur disa kushte të reja për pranimin e filmave brenda garës së përvitshme.
Akademia e Arteve dhe Shkencave, në SHBA, deklaroi të martën se filmat do të duhet të plotësojnë disa kritere sa i përket përfaqësimit në mënyrë që të lejohen të konkurrojnë, duke filluar nga viti 2024. Nisma, e quajtur “Aperture 2025” - “Hapja 2025”, kërkon që filmat të kenë të paktën 30% të kastit të aktorëve nga kategoritë e nënpërfaqësuara. Kritere të ngjashme duhen plotësuar edhe sa i përket punonjësve që punojnë për realizimin e filmit dhe gjithë skuadrës që merret me promovimin e prodhimit kinematografik. Ndryshimet janë përshtatur nga rregullorja e re e Institutit Britanik të Filmit.
Vetë Akademia ka bërë disa ndryshime në radhët e saj, duke shtuar në qershor të këtij viti 819 anëtarë të rinj, 45% e të cilëve ishin femra dhe 36% persona me ngjyrë. (A2 Televizion)