“Me Ukrainën deri në fitore dhe paqe”, bota përkujton me dhimbje përvjetorin e parë të luftës

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2023, 15:45 | Bota
“Me Ukrainën deri në fitore dhe paqe”, bota përkujton

Një pjesë e konsiderueshme e botës përkujton me homazhe, dhimbje dhe marshime përvjetorin e parë të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë. Mbretëria e Bashkuar mbajti një minutë heshtje kombëtare, ndërsa atraksionet dhe ndërtesat publike u stolisën me flamurin me ngjyrë të verdhë dhe blu. Mbreti Charles i Tretë shpërndau një mesazh me tonë të ashpra kundër Rusisë duke thënë se sulmi i paprovokuar ka shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme për popullin ukrainas. Administrata amerikane e presidentit Joe Biden, përmes një deklarate të gjatë, përsërit mbështetjen për Kievin deri në liri të plotë dhe bën Moskën përgjegjëse për krimet e tmerrshme. Për NATO-n dhe Bashkimin Europian, Rusia e Vladimir Putin po dështon në të gjitha aspektet.

“Putini ka dështuar të përmbushë qoftë edhe një synim të vetëm strategjik. Në vend që të përçajë Bsahkimin Europian, ai na gjen më të unifikuar dhe të përkushtuar në mbështetjen për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u shpreh presidentja e KE-së Ursula Von Der Leyen.

Ndërsa presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, nënvizoi se për Ukrainën, Europën dhe mbarë botën, ky është një përvjetor i errët. Mbështetje për Kievin deri në Fitore shprehu edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Dënimi i luftës mizore bëri bashkë qindra ukrainas, aktivistë të opozitës ruse, serbë, diplomat dhe politikanë lokalë që manifestuan në Beograd.

“Autoritetet në Serbi po luajnë të vdekurin derisa kjo të mbarojë. Jo vetëm qeveria, por edhe opozita. Të gjithë po përpiqen të mos kundërshtojnë opinionin publik, i cili është rusofil, dhe të mos kundërshtojnë Perëndimin, i cili ka folur qartë dhe është më I bashkuar se kurrë më parë”, tha politikani serb Nenad Canak.

Ndërkohë, përreth botës, në vendet aleate të Ukrainës, të gjitha atraksionet kryesore dhe ikonike janë mbështjellë me ngjyrat e flamurit ukrainas. Nga Kulla Eifel, godinat e BE-së, Shtëpia e Operas në Sidnej të Australisë dhe shumë monumente të tjera mbanin të projektuara ngjyrën e kaltër dhe të verdhë në mbështetje të betejës për liri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos