“Me Ukrainën deri në fund”, Blinken dhe Lavrov përplasen në Samitin e G20

Nga A2 CNN
2 Mars 2023, 15:17 | Bota
“Me Ukrainën deri në fund”, Blinken dhe Lavrov

Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah Ukrainës për sa kohë që të jetë e nevojshme. Me këto fjalë i është drejtuar Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, homologut rus, Sergei Lavrov në përballjen e tyre të parë që prej shpërthimit të luftës.

Dy zyrtarët e lartë zhvilluan një takim 10 minutësh, të paplanifikuar, në kuadër të Samitit të G20-s në Indi gjatë së cilit u përfshinë në një luftë fjalësh lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Blinken u kërkoi shteteve anëtare të shtojnë trysninë ndaj Moskës, ndërsa tha se takimi i G20 ishte minuar nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë.

“Ne duhet të vazhdojmë t’i bëjmë presion Rusisë, t’i japë fund luftës së agresionit dhe të tërheqë forcat e veta nga Ukraina për hir të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, ky takim u minua sërish nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë.”

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken

Blinken u mbështet nga homologët e tij nga Gjermania, Franca dhe Holanda. Shefja e diplomacisë së Berlinit Analena Baerbock i kërkoi Moskës t’i rikthehet traktatit bërthamor në start, siç tha për të shmangur rrezikun e një konfrontimi bërthamor.

Sakaq, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u kundërpërgjigj duke akuzuar shtetet perëndimore se e kishin kthyer në një farsë agjendën e G20-s dhe se po fundosnin marrëveshjen për eksportin e drithërave nga Ukraina.

“Një numër i madh delegacionesh perëndimore e kanë kthyer në një farsë agjendën e G20, me qëllimin për të devijuar përgjegjësinë për dështimet e tyre në ekonomi tek federate ruse.”

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov

Rusia dhe aleatët perëndimorë nuk i kanë shmangur përplasjet pavarësisht thirrjes së Kryeministrit indian Narendra Modi, vendi i të cilit është mikpritës i takimit të G20-s. Në një video mesazh të rrallë në gjuhën angleze ai kërkoi që të lihen mënjanë ndasitë për të zgjidhur ato çështje që mund të zgjidhen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos