
Analistja Edlira Gjoni, e ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se përjashtimet dhe pezullimet që ka bërë sot Partia Demokratike janë “vazhdim i metodave të mëparshme të kësaj partie”.
“Ky është vazhdimi i metodave të mëparshme të Partisë Demokratike, është vijimësi e asaj se si i ka marrë përjetë PD-ja vendimet brenda saj. Një parti që është drejtuar në 30 vite vetëm nga një njeri e gjysmë, nuk mund të themi që ka pasur gjëra normale në këtë parti”, u shpreh Gjoni.
Sipas saj, “termat që po përdoren sot nga të dyja krahët e kësaj partie, nuk i bëjnë mirë vetë partisë”.
“Ndarja duket dhe dëmin më të madh PD-ja ia bëri vetë vetes. Por, për kë po e bëjnë betejën? Demokratët janë bërë konfuz, nuk dinë se për kë do të votojnë vitin e ardhshëm, në zgjedhjet lokale”, theksoi Gjoni.
Më tej, analistja komentoi emrat e pezulluar nga partia: “Më vjen të qesh me listën e të pezulluarve, pasi aty ka disa emra që janë njerëz potencialë për ta ngritur PD-në aty ku ajo meriton të jetë. Si mund të pezullohen emra që kanë aq shumë domethënie për atë parti? Kontributi i një ish-Presidenti është gjithmonë i vlefshëm; Oerd Bylykbashi është një nga personat më me kapacitet ligjor që ka PD-ja, autor i Reformës Zgjedhore, aq më tepër që reflekton një linjë intelektuale brenda partisë. Unë mendoj që është luks i madh për PD-në që të bëjë pezullime e përjashtime. Flasim për një parti që nuk e ka shansin e vetme që të mundë pushtetin aktual”. (A2 Televizion)