
Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, tha në një intervistë për Ditarin e A2 CNN, se vendimi i kryesisë së partisë për ta përjashtuar është i pavlefshëm pasi ajo kryesi për të nuk ekziston.
“Në fakt nuk ka ekzistuar që me statutin e miratuar në korrik, pasi nuk u zbatuan kriteret statutore të zgjedhjes me dy kandidatura, 60 % e saj u emërua nga Lulzim Basha, përfshirë funksionet e tjera politike”, tha Spaho.
“Në kuvendin e 11 dhjetorit 4446 delegatë kanë shkarkuar Bashën dhe gjithë kryesinë e ashtuquajtur kryesi e PD. Shkarkimi i Bashës është vendosur nga 44000 anëtarë, këta që shikoni këtu të shkarkojnë, jo Basha. Synimi i “masave” të ndërmarra dje është të largohet vëmendja nga problemi themelor që kanë demokratët: se si Basha, në 8 janar, i sulmoi demokratët me mercenarë të futur në selinë e PD-së, i sulmoi me shkopinj bejsbolli, plumba gome, e blindoi selinë me dyer hekuri e më pas thirri policinë, brenda pak sekondash në sinkronizim me Edi Ramën hodhi pafund gaz lotsjellës, 12 të plagosur nga ana e anëtarëve të PD dhe qindra te tjerë të asfiksuar nga gazi, i cili u hodh pa kufizim, sikur kishin përballë ndonjë agresor. Të gjitha këto vërtetuan jo vetëm bashkëpunimin e Ramës me Bashën por edhe që opozita e vërtetë është ajo që ka dalë nga Foltorja”.
Spaho tha se ai dhe kolegët e tij do të vazhdojnë të zbatojnë vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit, i cili, sipas tij, do ta riorganizojë PD, me komisionin e rithemelimit, për një PD më të fortë. “Në 8 vitet e fundit degjeneroi në pikëpamje të vlerave, shkoi nga humbja në humbje, në pushtetin e një personi të vetëm që vendimet i merr vetë. Nga Basha çdo gjë e pret, njerëz të armatosur që ne i kemi dokumentuar me foto me emra, të cilët nga zyra e tij dhe sulmuan anëtarët e PD. Keni parë të plagosurit që u dilte gjak nga hundët dhe gazi lotsjellës hidhej nga brenda selisë, madje edhe xhamat thyheshin nga brenda hidhej gazi lotsjellës”, tha Spaho. (A2 Televizion)