Mediu në takimin e Dubrovnikut: Ballkani të bashkohet për të frenuar penetrimin rus dhe fuqizimin e Serbisë

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 09:20 | Politikë
Mediu në takimin e Dubrovnikut: Ballkani të bashkohet për të

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në takimin e Dubrovnikut në Kroaci me temë: “Gjeopolitika në Ballkan dhe Iniciativa e 3 deteve (Baltik, Deti Zi dhe Mesdheu)”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga vendet Baltike, Polonia, Ballkani, SHBA, dhe Brukseli.

Kjo nismë, ku janë pjesë të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore anëtare të BE është iniciativa më e rëndësishme gjeopolitike e mbështetur nga SHBA dhe BE jo vetëm politikisht por dhe financiarisht. Ajo konsiston në investimet në infrastrukturë, energjetikë dhe teknologji nëpërmjet një fondi të ndërtuar dhe investuar nga këto vende.

Rëndësia e iniciativës së 3 deteve është e jashtëzakonshme për të zhvilluar ekonomikisht këto vende por dhe për të frenuar penetrimin e Kinës dhe Rusisë në Europë. Në fjalën e tij, Mediu theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor jo anëtare të BE duhet që të bëhen sa më shpejtë partnerë në këtë iniciativë me interes të lartë për Shqipërinë dhe rajonin, duke vlerësuar nevojën që Shqipëria të ndërmarrë një takim rajonal për të kërkuar formalisht bashkimin në këtë iniciativë në Samitin e radhës në Rumani, siç bëri Ukraina në Samitin e Letonisë.

Zoti Mediu theksoi se situata në Ballkan është shumë problematike ndoshta më kritikja mbas konflikteve të viteve ‘90 dhe është një kërcënim jo vetëm për Ballkanin por dhe për Europën. “Duket qartësisht se Rusia kërkon që të nxisë konflikte nëpërmjet Serbisë, armatosjes së saj dhe nëpërmjet Republikës Serbska, me kërkesën për shkëputje nga Bosnja. Situata dhe konfliktet me sfond fetar dhe politik në Malin e Zi si dhe tensionet në Veriun e Kosovës apo mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë pasojë e skenarëve të konfliktit të përgatitur në Moskë prej kohësh. Çdo iniciativë apo bashkëpunim rajonal  duhet të ndalojë penetrimin e mëtejshëm të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, apo fuqizimin e Serbisë si aleatja kryesore e Rusisë dhe Kinës në rajon”, theksoi Mediu.

Në takim u ra dakord për një konferencë ndër parlamentare për këtë çështje në një nga vendet e Ballkanit jo anëtare të BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos