Agaçi në SPAK, Këlliçi: Uroj të mos ketë qenë sa për t’u hedhur hi syve mediave

Nga A2 CNN
15 Tetor 2022, 12:00 | Politikë
Agaçi në SPAK, Këlliçi: Uroj të mos ketë

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat nga selia blu ka komentuar vizitën e Ëngjëll Agaçit të premten në SPAK. Sipas Këlliçit, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është një prej aktorëve kryesorë në atë që deputeti demokrat e cilësoi si “masakra më e madhe financiare që u është shkaktuar deri më tani taksapaguesve shqiptarë”, duke iu referuar çështjes së inceneratorëve.

Deputeti demokrat rendit 9 akuza që sipas tij bien direkt mbi Agaçin ndërsa përsërit edhe një herë qëndrimin e mbajtur nga opozita prej kohësh tashmë, se kryeministri Edi Rama është ai që “mban skemën në lëvizje”. Këlliçi tha se shpreson që thirrja e tij në SPAK të mos ketë qenë, siç u shpreh ai, sa për t’u hedhur hi syve mediave.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi është paraqitur të premten në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, ku ka qëndruar deri para pak minutash. Zyrtarisht SPAK, nuk konfirmoi se për cilin hetim ka dhënë deklarime Agaçi.

Më 22 shkurt të këtij viti, ai u paraqit edhe në Komisionin Hetimor për “Inceneratorët”, ku pati përplasje me deputetët e opozitës, të cilët e akuzojnë se ka firmosur të gjithë procedurat ligjore brenda 24 orëve duke shkelur ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos