
Fitorja e partisë së djathtë italiane, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë), ka krijuar shqetësime dhe debate në Europë, me disa që e cilësojnë qeverinë që do të lindë nga koalicioni i kësaj partie me Legën dhe "Forza Italia" e Silvio Berlusconit, si qeveria më e djathtë nga koha e Benito Mussolinit.
Por ndërkohë që vendet kryesore të BE-së kanë reaguar në mënyrë diplomatike dhe të ftohtë, një mbështetje të rëndësishme për Giorgia Melonin, lideren e "Fratelli d’italia" që pritet të zgjidhet si kryeministrja e parë femër në historinë italiane, vjen nga Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas ka reaguar pas fitores me një mesazh në Twitter ku përgëzon Melonin për fitoren, duke nënvizuar se vlerëson ndihmën e përhershme të Italisë për t’u përballur me “agresionin rus”.
Meloni u përgjigj duke thënë se nga qeveria e saj Ukraina do të ketë gjithmonë “mbështetje të ndershme ndaj kauzës për liri”, duke i shtuar personalisht Zelenskit, “bëhu i fortë dhe forco besimin!”.
Mesazhi mes dy liderëve është i rëndësishëm për të ulur dyshimet e mundshme që qeveria e re në Romë do t’i afrohej më shumë Kremlinit, duke parë edhe marrëdhëniet e ngushta që në të kaluarën Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini, lideri i Legës, kanë pasur me presidentin rus, Vladimir Putin.
Vizioni i Giorgia Melonit ndërkohë duket i rreshtuar qartazi krahas Ukrainës, me pozicione të forta kundër Kremlinit. (A2 Televizion)