Menaxhimi i pandemisë, Berisha: Qeveria mashtroi shqiptarët, janë mbi 6000 vdekje më shumë nga një vit më parë

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2021, 13:38 | Politikë
Menaxhimi i pandemisë, Berisha: Qeveria mashtroi shqiptarët, janë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës në A2, ku foli rreth zhvillimeve më të fundit në vend, duke përfshirë këtu pandeminë dhe zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen, më 25 prill.

I pyetur për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, ish-kreu i demokratëve përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij duke akuzuar qeverinë se po e menaxhon atë vetëm me mashtrime dhe aspak transparencë.

“Fillimisht e quante një gjë të zakonshme, më pas kaloi në strategji horrori, duke iu thënë shqiptarëve se do të shohim male me kufoma dhe se nuk do gjejmë një pëllëmbë tokë për varre, se do na e djegë mishin si murtajë. Konstatova se nuk u bë asnjë përgatitje, por vetëm mashtrim me maskat, testet, respiratorët, kapacitetet. Në një mënyrë paranojake, forca shtypëse e shtetit u përdor për të terrorizuar qytetarët duke nxjerrë tanke. Iu tha shqiptarëve se unë jam Zoti”, tha Sali Berisha, në A2.

Më tej, ish-kryeministri Berisha insistoi se numri i viktimave nga koronavirusi është fshehur, dhe këtë, sipas tij, e tregojnë dhe të dhënat e vdekshmërisë.

“Dua të theksoj se pandemia në Shqipëri mori jetë njerëzish, më shumë se në çdo vend tjetër të botës, përveç Meksikës dhe Perusë. Në 2021, ka një revansh dhe më të egër. Konstatova se njeriu, i cili sot quan 6049 viktima më shumë të vitit 2020 sesa në vitin 2019 ose mesataren e viteve 2015-2019, në fund shpalli botërisht se ishte më i miri. Treguesi i vdekshmërisë është themelor i shëndetit publik. Ky tregues është nga më konstantët. Lëvizjet nga një vit në tjetër përveç pandemive janë shumë të vogla. Sipas “The Economist”, Greqia fqinje ka një vdekshmëri shtesë 7 herë më të ulët se Shqipëria. Franca, Italia kanë një vdekshmëri shtesë 2 herë më të ulët se Shqipëria”, përfundoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos