"Absolut 4": Shqiptarët, politika dhe zgjedhjet

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2021, 23:03 | Politikë
"Absolut 4": Shqiptarët, politika dhe zgjedhjet

Premtimi i Ramës për Yuri Kim, Kikia: Tom Doshin nuk e pengon asgjë. Krasniqi: Përpjekje për të fituar kohë

Deklarata më e fundit e ambasadores Yuri Kim, se ka marrë premtim nga Rama për të mos bashkëpunuar me Tom Doshin pas zgjedhjeve të 25 prillit për të formuar qeverinë, është diskutuar në studion e Ditari në A2 CNN, mes analistëve dhe gazetarëve. Në këndvështrimin e tij Mentor Kikia thotë se ambasadorja u mjaftua me faktin që Doshi nuk do të jetë një aleat paszgjedhor, ndërkohë që deklaratat e kryeministrit për respektim të ligjit, i sheh si përpjekje që Tom Doshin nuk e pengon asgjë.

“Ky ishte akti i fundit i këtij dueli dhe apeli i vazhdueshëm për të hequr njerëzit e inkriminuar nga lista. Mendoj që kjo punë përfundon derisa partia PSD u regjistrua në zgjedhje, për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit dhe ambasadorja u mjaftua që Doshi nuk do të jetë një aleat paszgjedhor.

Ka një gjë që duhet theksuar në këtë histori se në parlamentin e kaluar pati shumë deputetë që dolën me pranga në duar dhe gjithë apelet e drejtuara ndaj kryeministrit ai iu përgjigj që “unë shikoj ligjin” dhe ligji nuk e pengon Doshin të kandidojë. Deklaratën e Ramës që unë respektoj ligjin sot e shoh ndryshe, e shoh si një përpjekje që Tom Doshin nuk e pengon asgjë”.

Ndërkohë premtimin e Ramës ndaj ambasadores amerikane, analisti Krasniqi e sheh si një përpjekje për të fituar kohë, nisur edhe nga reagimet perëndimore dhe hetimet në Itali.

“Është një zhvillim në proces, nuk ka vendimmarrje finale, është korrekte që kandidati ka të drejtën për të konkurruar, është kërkuar shumë më tepër se dekriminalizimi, është kërkuar për kandidatë me integritet. Ai ka qenë një nga miqtë e Ramës, vëllai i kryeministrit ishte në mbrëmjen e fundit me zgjedhësit. Ajo që kryeministri ka thënë është përpjekje për t’i ikur një konflikti më të gjerë me Perëndimin. Mazhoranca ka shkelur parimet e dekriminalizimit. Një sërë reagimesh perëndimore dhe hetimet në Itali kanë bërë që kryeministri të japë këtë premtim që nuk është asgjë. Është përpjekje për të fituar kohë”.

Ndërkohë gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi thotë se ka një kontradiktë mes kryeministrit dhe ambasadores, për rolin e Tom Doshit pas 25 prillit, pasi partia e tij është në koalicion me mazhorancën.

“Ka një kontradiktë mes kryeministrit dhe ambasadores për rolin e Tom Doshit pas 25 prillit. Doshi drejton një parti që është në koalicion me PS. Është partia e dytë e mazhorancës, ligjërisht është një aleat i kryeministrit dhe fakti që nuk do të ketë bashkëpunim në të ardhmen ata janë bashkë”.

“E kanë në dorë votuesit nëse Tom Doshi do të jetë apo jo në Parlament”

Mentor Kikia mendon se vetëm votuesit mund të vendosin nëse Tom Doshi do të jetë apo jo pjesë e Parlamentit. Në një postim në Tëitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se ka marrë sigurinë nga kryeministri Edi Rama, që Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e qeverisë së tij.

“Ajo duket e kënaqur me premtimin e Ramës që Doshi nuk do të jetë faktor formues në qeveri. Tani duhet të presim se sa do të arsyetojnë votuesit dhe sa do t’ia japin votën. Ligji nuk e ndalon Tom Doshin që të kandidojë. Ambasadorët po bëjnë më shumë sesa mund të bëhet në një vend sovran. Unë jam i kënaqur që kemi këtë lloj tutele mbi krye, që na detyron të paktën të diskutojmë publikisht këto çështje. Ambasadorja u ka thënë të gjithëve se ky person nuk është i përshtatshëm për të qenë deputet. Rama nuk e pengon dot, ligjërisht nuk pengohet dot, kështu që tani është në dorë të votuesve nëse do të jetë apo jo në Parlament”, deklaroi Kikia.

Por, analisti i A2, Afrim Krasniqi, mendon se votuesit e kanë në dorë vetëm në kushtet e një demokracie funksionale.

“DASH ka dalë me një listë me dy politikanë që janë shpallur “non grata” në SHBA. Modele si zoti Doshi kanë qenë shumë më afër qytetarëve sesa politikanë të tjerë, kështu që kandidatura si ajo e zotit Doshi kanë mbështetje në zona të caktuara. Për Tom Doshin, në dallim nga individët e tjerë, nuk ka asnjë akuzë konkrete”.

Sipas Lutfi Dervishit, “tani duhet parë nëse do të ketë garë në zonat ku kandidon Tom Doshi, apo do të hapë krahun Partia Socialiste”.

“Ambasadorja nuk do të tërhiqet nga kjo çështje dhe nuk do të pranojë të sfidohet”, theksoi Dervishi.

“Votimi elektronik nuk realizohet”, gazetarët: Identifikimi elektronik përjashton abuzimin, por duhet vullnet politik

Identifikimi i elektronik përjashton votimin për herë të dytë apo të tretë, por duhet vullnet politik për ta garantuar. Këtë mendim ndanë në studion e Ditari në A2 CNN gazetarët dhe analistët duke folur për elektronikën në zgjedhjet e 25 prillit. Gazetari i A2 Ervin Koçi solli detaje për pajisjen e identifikimit elektronik. Sipas tij identifikimi elektronik do të jetë në të gjitha qendrat e votimit.

“Do të bëhet lexim i kartës së identitetit dhe pasaportës dhe aty gjenerohen të dhënat e votuesit dhe nëpërmjet pajisjes komisioneri arrin të shohë nëse fotoja është e njëjtë me atë që del nga gjendja civile. Del automatikisht në një ekran më të madh. Pasi bëhet verifikimi i personit, makineria printon një kupon votimi që e përjashton për të votuar për së dyti apo për së treti. Fshihet nga lista, në fund të ditës, dalin një numër total kuponash të barazvlefshëm me numrin e votuesve. Kjo ishte sfida që politika ia la KQZ. Në 25 prill identifikimi elektronik në 100% qendrat e votimit. Kompania do të sjellë 5400 pajisje, prej tyre 400 rezervë. Këto pajisje janë për 4 procese zgjedhore. Çdo makinetë ka regjistrin e gjendjes civile”.”.

Për Kikian, çdo kosto do të vlente për të penguar vjedhjen e pushteteve dhe për të eliminuar këtë

Çdo kosto do t’ia vlente për të penguar vjedhjen e pushteteve dhe për të eliminuar këtë maskaradë që na ka shoqëruar. Nëse kjo do të realizohet është arritje shumë e madhe për të kapërcyer një barrierë që na ka sfiduar. Dua të besoj që nëse me kartën time votoj diku karta ime bllokohet dhe nuk mund të shkoj”.

Nga ana e tij Afrim Krasniqi thekson se identifikimi elektronik nuk do të ketë vlerë sa kohë që komisionerët janë partiakë dhe është e paimagjinueshme që një vend kaq i varfër sa Shqipëria të harxhojë kaq shumë. Sipas tij është një eksperiment, por nuk garanton nëse nuk ka vullnet politik.

 “Pozitive do të jetë, por është e paimagjinueshme që një vend kaq i varfër të harxhojë mln euro kur mendoj që nuk do ketë vlerë përsa kohë që komisionerët janë partiakë. Votimi elektronik do vlente më shumë se do merrnim rezultatin brenda pak orësh. Maqedonia e zgjidhi duke bërë zgjedhje 3 ditë radhazi, Kosova miratoi strukturë të posaçme. Imagjinoni të shkojmë në pandemi në zgjedhje dhe janë një sërë sfidash reale që për të cilat askush nuk flet. Është një sistem që i pengon për të votuar dhe jo t’i ndihmojë për të votuar. Kam përshtypjen se partitë janë duke menduar se çfarë do të bëjnë për ta. Është një eksperiment por nuk garanton nëse nuk ka vullnet politik”.

Në të njëjtën linjë edhe Lutfi Dervishi, i cili shton se identifikimi elektronik nuk mjafton, pasi në çdo vend i organizon ministria e Brendshme kurse këtu i organizojnë partitë politike.

“Në këtë rast është çështja e vullnetit politik, nëse do kishim mirëkuptim dhe besim gjërat do të ishin pak më ndryshe. Imagjino një situatë ku do votosh në mënyrë elektronike dhe të ikën energjia elektrike. Çështja e kostos. Kostot më të mëdha na kanë ardhur nga destabiliteti politik për zgjedhjet e konstestuara. Identifikimi nuk mjafton pasi në çdo vend i organizon ministria e Brendshme, kurse këtu i organizojnë partitë politike. Kemi mbërritur në këtë pikë që ne votojmë një ditë dhe numërojmë me javë të tëra. Shqiptarët vetë si votues e ka thyer frikën për votën, por kjo frikë nuk është thyer nga partitë politike”.

Sa i takon votimit elektronik, gazetari Koçi theksoi se burime nga KQZ thonë që nuk e miratojnë projektin pilot për shkak të kohës.

“KQZ do të zhvillojë mbledhje nesër dhe koha është shumë e pakët burime nga KQZ thonë jozyrtarisht se kompanitë nuk e miratojnë projektin pilot për votimin elektronik për shkak të kohës. Kompania që ka fituar tenderin nuk e miraton. U deshën dy muaj për një tender, duhet një muaj kohë për të arritur”.

Negociatat e PD-së me aleatët, Krasniqi: Po investohet me diçka që nuk ka interes për opinionin publik

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, në një lidhje me studion e “Absolut 4”, komentoi negociatat e Partisë Demokratike me aleatët e saj, duke u shprehur se “bëhet fjalë për siguri personale të individëve të caktuar për mandate parlamentare”.

“Unë mendoj që bëhet fjalë për siguri personale të individëve të caktuar për mandate parlamentare. Është e habitshme që, kur në kohën që duhet të kishte programin dhe listën e kandidatëve gati, investohet me diçka që nuk ka interes për opinionin publik. I vetmi debat me rëndësi për aleancën është raporti me LSI-në, jo me aleatët e tjerë të vegjël. Ne po shohim të njëjtat figura që kemi parë 20-30 vjet. Nuk po negociohet për të futur figura të reja. Po negociojnë për të siguruar vend për njëri-tjetrin. Ai apeli për integritet vlen edhe për opozitën. Nuk e ka luksin opozita që të riciklojë figura të konsumuara të së kaluarës. Po shpenzohet kohë me aktorë që janë konsumuar politikisht”, deklaroi Krasniqi.

Sipas gazetarit Mentor Kikia, “bisedime kaq shumë të gjata dhe nervoze zakonisht zhvillohen pas zgjedhjeve”.

“Në këtë fazë paraprake, kur PD-së i duhet të mbledhë sa më shumë aleatë, nuk besoj se po diskutohen copat e pushtetit, por hierarkia në lista”, nënvizoi Kikia.

Ndërkohë, analisti Lutfi Dervishi theksoi se “Partia Demokratike po humb kohë me këto diskutime me aleatët, kohë që nuk kthehet më”.

Kikia: Parlamenti pastrohet më lehtë nga vrasësit, sesa nga të korruptuarit

Duke folur për ligjin e dekriminalizimit, Mentor Kikia theksoi se ai nxori jashtë institucioneve, njerëz që kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë brenda apo jashtë Shqipërisë. Sipas tij deklarata e ambasadore amerikane nuk i referohet Tom Doshit si njeri i inkriminuar, por si i korruptuar dhe në politikë ka shumë të tillë, Kikia thekson se parlamenti pastrohet më lehtë nga vrasësit, sesa nga të korruptuarit, pasi këta të fundit u duhen politikanëve për të siguruar vota.

“Ligji i dekriminalizimit nxori jashtë njerëz që kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë brenda apo jashtë Shqipërisë. Ka edhe njerëz që janë përfshirë në korrupsion këmbë e kokë dhe nëse i referohemi qëndrimeve të ambasadores amerikane, nuk i referohet Doshit si person i inkriminuar, por ka shumë njerëz që nuk kanë bërë krime e vrasje, por janë të korruptuar këmbë e kokë dhe të përfshirë në infrastrukturën e politikës së korruptuar dhe sot politika shqiptare është e imunizuar nga kjo dukuri. Dhe apelet e ambasadores amerikane flasin për pastërti listash por është kategoria e sipërmarrësve dhe ndërtuesve të mëdhenj, që nuk kanë folur e lexuar njëherë.

Nga vrasësit parlamenti pastrohet kollaj nga korruptuarit është e vështirë se ata janë më afër qeverisë e politikës dhe ky është rreziku që ambasadorja flet sot e kësaj dite. Është pjesë e ndërgjegjes së kryetarëve të partisë, por ata nuk dëgjojnë se këta njerëzit e pasur u duhen për të fituar vota”.

Bojken Abazi: Vetëvendosja synon fitore historike në Kosovë

Bojken Abazi, i lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, i cili është një nga kandidatët që do të garojë në kryeqytet në zgjedhjet e 25 Prillit, shpjegoi në studion e “Absolut 4” në A2 pse VV vendosi të mos garonte si parti politike.

“Vetëm në fund të dhjetorit u kuptua forma përfundimtare që do të merrte Kodi Zgjedhor, si dhe nuk e dinim çfarë do të ndodhte në Kosovë. Vetëm kur ishim të sigurtë që zgjedhjet atje do të mbaheshin para zgjedhjeve në Shqipëri, menduam që hapi më i drejtë do të ishte që të mbështesnim 3 kandidatura. Nëse do të kishim garuar si subjekt politik, do të duheshin 3000 firma për gjykatë dhe 5000 për KQZ, si dhe lista të plota në secilën zonë zgjedhore”, deklaroi Abazi.

Kur u pyet se sa e vështirë ka qenë për të mbledhur firmat, Abazi u shpreh: “Pandemia dhe moti e kanë vështirësuar këtë proces. Edhe Bashkia Tiranë nuk na ka dhënë leje për një tendë, por këto pengesa do të tejkalohen”.

Në lidhje me zgjedhjet në Kosovë, Abazi u shpreh: “Partitë e regjimit të vjetër janë në hall, pasi e shikojnë që tani, Vetëvendosja po merr vota edhe mes njerëzve të mëdhenj në moshë dhe në zonat rurale, ku më parë nuk kishte vota. VV synon të marrë 61 mandate nga 100 të rezervuara për partitë shqiptare. Synojmë një fitore historike, që nuk ka ndodhur kurrë në Kosovë. Shumë qytetarë e shohin si shpresën e fundit të Kosovës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos