
Degët e mësuesisë në universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” vijojnë të mbeten ndër më pak të preferuarat nga maturantët. Numri i vogël i aplikimeve pas mbylljes së fazës së parë, ka nxitur drejtuesit e universitetit që të propozojnë skema të reja, të cilat edhe pse mund të ulin cilësinë, shpresohet të shpëtojnë mësuesinë.
“Unë mendoj se një nga rrugët e mundshmen për të dalë nga kjo gjendje është heqja e mesatares për ata që aplikojnë në mësuesi. Këtë e them me plot bindjen sepse nëse do të kemi rritje masive të të regjistruarve në degët e mësuesisë, natyrisht që do të kemi edhe studentë të dobët, por me kalimin e kohës ata do të afirmohen dhe do të shmangim atë rrezik të madh për mungesën e mësuesve”, thotë Jaho Cana, zv.rektor në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.
Sipas tij, nëse nuk merren masa të menjëhershme tani, atëherë vendi do të vuajë për mësuesit në vitet e afërt të ardhshëm, siç në fakt po ndihet aktualisht mungesa e mësuesve të matematikës dhe fizikës. Ndër degët më të preferuara në Universitetin e Gjirokastrës si kudo në vend, mbeten ato të infermierisë dhe biznesit. (A2 Televizion)