Ilir Meta ka çmuar ish-presidentin Bujar Nishani me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”, më e larta në rang vendi, pak ditë pas vdekjes së parakohshme të Nishanit.
Presidenti shqiptar ka motivuar vendimin “në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”.


Ish-presidenti Nishani ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare në një spital gjerman, pas një beteje disa mujore me Covid-19.
Ai u zgjodh në drejtimin e shtetit në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë detyrë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.
Zoti Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005 deri në vitin 2009. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Drejtësisë. (A2 Televizion)