
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, siguroi qytetarët se e ka kryer më shumë se një herë testin për koronavirusin dhe ka rezultuar negative. Me qetësinë se nuk është prekur nga Covid-19, ai iu përgjigj thirrjes së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Qytetarëve u kërkoi që të ndjekin shembullin e tij. I pyetur nga A2 se si i konsideron masat e ndërmarra nga qeveria deri më tani për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Presidenti Meta i mbështeti ato dhe kërkoi që të zbatohen urdhrat e autoriteteve.
Për të diskutuar me situatën e re të krijuar pas pandemisë së Covid-19 dhe efektet e mundshme në sektorin bankar, Meta u takua edhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Guvernatori garantoi se banka është e angazhuar të marrë vendime lehtësuese në interes të komunitetit dhe biznesit. (A2 Televizion)