
Nga mëngjesi i së premtes deri mesnatën e së dielës, asnjë automjet privat dhe udhëtarësh nuk do të lejohet të qarkullojë në Tiranë, Durrës dhe disa qytete të mëdha të vendit. Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sqaroi kategoritë që nuk do të preken dhe mënyrën si mund të shkohet në Rinas. Ndërkohë, postoblloqet e policisë e ushtrisë kanë identifikuar më shumë se 200 shkelës të vetëkarantinës.
Bllokimi i qarkullimit të mjeteve do të prekë edhe një sërë qytetesh të tjera në vend: “Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë”.
Përjashtim nga rregulli do të bëjnë vetëm disa kategori: “Lejohen të qarkullojnë vetëm ambulancat, mjetet që transportojnë mallra konsumi, mjete që shërbejnë për transport medikamentesh dhe mjetet e mediave”.
Kurse qytetarët që do të përdorin aeroportin e Rinasit, duhet të raportojnë në sallën operative të policisë, në nr. 112 orarin e fluturimit, linjën, biletën, emrin e personit që do të fluturojë si edhe kohën e lëvizjes.
Policia dhe ushtria vijoi kontrollet e nisura mbrëmjen e së mërkurës për personat e ardhur në Shqipëri gjatë dy javëve të fundit nga shtete të prekura nga koronavirusi dhe që nuk janë vetizoluar. Në më pak se 24 orë kontrolle, postoblloqet identifikuan 200 persona të tillë. Për të shmangur abuzuesit, policia i ka hedhur emrat e tyre në një sistem elektronik të përbashkët, që verifikohet në çdo postobllok përmes një tableti.
Nga ana tjetër, urdhri për mbylljen e lokaleve arriti që vërtetë t’i mbyllë ato. Disa kishin lënë pusulla për klientët e tyre.
Shqiptarët thonë që huqi del me shpirtin. Edhe pse të mbyllur dhe pa shërbim, tavolinat e disa lokaleve nuk kanë mbetur fare bosh... (A2 Televizion)