Presidenti Ilir Meta deklaroi në një konferencë për shtyp se nëse forcat politike nuk do të bien dakord për Kodin e ri Zgjedhor, ai sërish do të shpallë ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në vend, pa bërë konsultime me forcat politike.
“E pata thënë se nëse nuk do të bëhen zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse, Shqipëria do të ngelte në klasë në tetor dhe do të merrte në qafë edhe Maqedoninë e Veriut. E dimë si përfundoi dhe për ne u shtuan kushtet. Tani, unë shpresoj shumë dhe jam i entuziazmuar nga “cicërimat” që ka progres nga Këshilli Politik. Unë do e firmos menjëherë konsensusin e tyre dhe të lajmërojmë botën për arritjen e madhe. Nëse nuk bien dakord, unë do të shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme, mund ta kthej një herë për reflektim, pastaj se si veprohet nuk është në varësinë time. Me konsensus apo në mënyrë të njëanshme, në hapësirën kohore që Kodi do të më lejojë, në ditën më të parë të mundshme, do të shpall ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, pa bërë konsultime me forcat politike. Kush do le të hyjë në zgjedhje, kush nuk do, të mos hyjë”, tha Meta.
Por, Kreu i Shtetit theksoi se “nëse nuk ka konsensus, Shqipëria do të ketë zero mundësi për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian”. (A2 Televizion)