
Në takimin që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi me mbështetësit në Elbasan, përpos shqetësimeve për gjendjen e vështirë ku ndodhet bujqësia dhe fermerët atje dhe problematikave të tjera, i mëshoi më tepër situatës së kriminalitetit në këtë qytet, duke akuzuar qeverinë Rama si mbështetëse të grupeve të të fortëve.
“Për fat të keq ky nuk është problemi i vetëm i Elbasanit. Një qytet i njohur për qytetarinë artin dhe kulturën është kthyer në një përplasje të dhunshme bandash. Kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ramës dhe të nënshtrimit të shtetit përpara të fortëve.
Në 24-orë 3 atentate në Shqipëri, 4 viktima. Jo vetëm kaq po në 8 muajt e fundit kanë ndodhur 40 e ca atentate, dhjetëra të vrarë. Specializimi i policisë kohët e fundit është mbledhja e gëzhojave, jo për faktin se nuk kemi policë të aftë, por policia është e mpirë për shkak të lidhjeve të krimit me politikën”, tha Meta. (A2 Televizion)