Presidenti Ilir Meta akuzoi Prokurorinë e Posaçme dhe atë të Elbasanit, se me mosveprimet e tyre kanë lejuar që të ndodhë ngjarja e rëndë e 21 prillit, ku pas një konflikti të armatosur, pati 1 viktimë dhe 4 të plagosur.
“Duket qartë se SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit kanë bërë çmos që personat e kallëzuar nga PD për krime zgjedhore, të mos hetoheshin para zgjedhjeve, duke iu krijuar terrenin për të vjedhur zgjedhjet. Për shkak të këtyre veprimeve kriminale ndodhi edhe konflikti i armatosur. Nëse Prokuroria do të kishte vepruar, këta 40 persona do të ishin në burg, por nuk do të kishim asnjë viktimë apo të plagosur”.
“Krimi zgjedhor mban peng prej 4 vitesh integrimin e Shqipërisë. Jam këtu si kryetar i shtetit, që do të jetë në këtë detyrë, edhe në të hënën, edhe të martën, edhe në vazhdimësi, për të garantuar ndërrimin e pushtetit, në mbështetje të Kushtetutës dhe verdiktit që do të japin qytetarët shqiptarë. Edhe pse po mbushen 72 orë nga kjo ngjarje me pasoja tragjike, ende Prokuroria dhe Policia nuk kanë dhënë një version shterues të ngjarjes. Ngjarja meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht. Prokuroria dhe Policia janë në apati dhe nuk po veprojnë”. (A2 Televizion)