PD denoncon një rast për tentativë për blerjesh votash në Maliq, Policia procedon pjesëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës

Nga A2 CNN
24 Prill 2021, 11:03 | Politikë
PD denoncon një rast për tentativë për blerjesh votash

Partia Demokratike denoncoi një tjetër rast të pretenduar prej saj të krimit zgjedhor, të ndodhur në fshatin Podgorie të Korçës.

Drejtuesi i qarkut Korçë të PD, Edmond Spaho, tha se ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së kaluar, ku e ashtuquajtura Strukturë e Mbrojtjes së Votës e ngritur nga PD, kishte ndaluar tre makina të Njësisë Administrative Vreshtas, me rreth 7 punonjës të kësaj njësie.

“Dy prej makinave arritën të largohen, ndërsa makina e tretë, e drejtuari nga administratori i njësisë Administrative Vreshtas, Cezar Bezati, u bllokua”, tha Spaho në deklaratën e tij. “

PD pretendon se pas njoftimit të policisë dhe kërkesës për kontroll të mjetit, në të u gjetën lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie, lista e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist, administratorin Çezar Bezati, si dhe një listë e shkruar me dorë, me emra banorësh të këtij fshati, të cilën, sipas PD, Policia refuzoi ta bëjë publike.

Për ngjarjen reagoi edhe Policia e Maliqit, e cila njoftoi se ka nisur procedim penal, në gjendje të lirë, ndaj 3 personave, simpatizantë të Partisë Demokratike, pasi “në mënyrë të kundërligjshme në fshatin Podgorie, Maliq, i kishin bllokuar rrugën me automjetin e tyre administratorit të Njësisë Administrative Vreshtas, Maliq, i cili udhëtonte me mjetin e tij, me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota”.

“Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga ana e grupit hetimor dhe shërbimeve të policisë në automjetin e shtetasit Q. B., nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor”, tha Polica. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos