Presidenti Ilir Meta u takua këtë të hënë me Zef Mazin, të emëruar nga qeveria shqiptare si kryenegociator për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
A2 ka mësuar nga burime se Presidenti ka shprehur rezerva lidhur me planin e prezantuar më 9 qershor për plotësimin e 15 kushteve të vendosura nga BE për Shqipërinë.
Në një postim në Facebook, Presidenti zbuloi disa detaje nga takimi. “Diskutuam hapur e në mënyrë konstruktive për perspektivën e çeljes së negociatave. Ndërsa politika jonë duhet të tregojë vullnet për plotësimin e kushteve, është e rëndësishme përgatitja teknike dhe rritja e kapaciteteve negociuese. E sigurova për mbështetjen e plotë në detyrën e tij nga institucioni i Presidentit të Republikës. Integrimi europian është objektiv mbarëkombëtar”, shkroi ai. (A2 Televizion)