
Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të rëndësishme për shekullin në vijim. Kështu tha presidenti Ilir Meta, gjatë një prononcimi për mediat.
“Zgjedhjet janë kryekushti i Europës, ua kam thënë edhe më parë, mos besoni propagandën e gënjeshtërt. Zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme për 100 vitet që vijnë, që Shqipëria të fitojë kredencialet demokratike”, tha Meta.
Presidenti tha që është e rëndësishme që shqiptarët të vendosin me qetësi se kë do të zgjedhin dhe kë do të ndëshkojnë. “Është e drejta e tyre të gjykojnë. Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë me integritet, askush të mos intimidohet. Do të informojmë më tej opinionin publik për figurat që përfshihen në krimin zgjedhor. Do të bëjmë çdo gjë për të pasur zgjedhje demokratike të ndershme, pavarësisht ndryshimeve të njëanshme që u bënë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë”, shtoi presidenti. (A2 Televizion)