
Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi, ku kërkon zgjatjen e afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave deri më 30 prill 2021, në mënyrë që të gjithë qytetarët që u skadojnë këto dokumente të kenë mundësi të votojnë.
“Edhe përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, pak ditë më parë, përmes një letre zyrtare drejtuar Ministrit të Brendshëm kanë kërkuar shtyrjen e afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri më 30 prill 2021, në mënyrë që në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021, të krijohet mundësia për të ushtruar të drejtën themelore kushtetuese të votës edhe ata qytetarë që ende nuk kanë apo nuk do munden të rinovojnë dokumentin e identifikimit. Sipas asaj që bëhet prezente në këtë shqetësim të shoqërisë civile dhe të opozitës , një numër i madh qytetarësh rrezikojnë të mos marrin dot pjesë në zgjedhje për shkak të skadimit të afatit të përdorimit/vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, përpara apo deri në datën 25 prill 2021”, thuhet në letrën e kreut të shtetit.
Sipas presidentit nga të dhënat e bëra publike, përllogaritet se janë rreth 800 mijë shtetas me të drejtë vote, të cilët rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021, për shkak se dokumenti i tyre i identifikimit, ka skaduar, apo skadon deri ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Për realizimin e kësaj, Meta sjell në vëmendje precedentin e marsit të vitit të kaluar, ku me një akt normativ të miratuar nga Kuvendi dhe të dekretuar nga Presidenti, u zgjat deri më 31 dhjetor 2020 afati i vlefshmërisë së pasaportave.
Kjo kërkesë e kreut të shtetit vjen pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë në fokus të veprimtarisë së tyre edhe monitorimin e proceseve zgjedhore ne vendin tonë. (A2 Televizion)