Dy penalizime nga 5 sekonda kanë ndalur Lewis Hamilton të barazojë Michael Schumacher me 93 fitore në Formulën 1. Piloti tjetër u Mercedes, Valteri Bottas, konfirmohet si specialist i garave të Sochit, duke arritur i pari në Çmimin e Madh të Rusisë.
Max Verstappen, piloti i Red Bull, u ngjit i dyti në podium, ndërsa kampioni në fuqi i botës plotësoi treshen e kreu në këtë garë.
Ndërkohë, dy makinat e Ferrarit vijojnë të mos tregojnë asgjë nga potenciali i tyre dhe nga pritshmëritë e mëdha që kanë tifozët e shumtë në botë të “Kokë kuqes” italiane. Charles Leclerc u rendit në vendin e gjashtë, ndërsa Vettel i 13-ti.
Pas Çmimit të Madh të Rusisë, Hamilton udhëheq renditjen e përgjithshme të pilotëve me 205 pikë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Bottas, me 161 pikë, ndërsa i treti renditet Max Verstappen me 128 pikë.
Gara e ardhshme do të jetë në Gjermani më 11 tetor. (A2 Televizion)