
Milan bën pjesë në një prej atyre skuadrave që pauza e pandemisë i solli formën më të mirë dhe rezultatet. Kuqezinjtë e Stefano Piolit nuk njohin humbje që prej rikthimit të futbollit, ndërsa ndaj Sassuolos regjistruan fitoren e 7 në 9 takimet e fundit, dy prej të cilave janë mbyllur në barazim.
Ndeshja u zgjidh nga lideri dhe futbollisti më i përfolur i skuadrës, Zlatan Ibrahimovic, që zhbllokoi sfidën e më pas zhvlerësoi edhe golin e Caputos duke shënuar sërish në fundin e pjesës së parë, për t’i dhënë 3-pikëshin e radhës skuadrës.
Suksesi i radhës i milanezëve bëri që drejtuesit kuqezinj të heqin dorë nga projekti gjerman Ralf Ragnick, e t’i besojnë skuadrën Piolit deri në vitin 2022, me rinovimin që erdhi menjehëherë pas përfundimit të sfidës me Sassuolon.
Milan ndërkohë është ngjitur përkohësisht në vendin e pestë të renditjes, atje ku do të duelojë me Napolin dhe Romën për një vend në Europë 3 javët e fundit. Fitore regjistroi përballë Bolonjës edhe Atalanta, një tjetër skuadër me ecuri identike si Milani, që me rifillimin e futbollit.
Bergamaskët, përveçse siguruan pikët maksimale falë golit të Muriel, vendosën edhe rekordin historik në Serinë A si skuadra e parë që arrin të shënojë 95 gola brenda një sezoni. (A2 Televizion)