
Pas vërshëllimës së fundit të arbitrit në ndeshjen ndaj Veronës, e cila sinjalizoi mbylljen e kampionatit të Serie A, brenda 24 orëve të ardhshme ekipi i Milanit u shkërmoq.
Ibrahimovic, një personazh tejet i rëndësishëm në sukseset e kuqezinjve dy vitet e fundit, më shumë jashtë fushe se në të, vari këpucët në gozhdë. Nuk zgjati shumë dhe të hënën mediat italiane raportuan se pas një takimi me pronarin e klubit, Gerry Cardinale, Paolo Maldini dhe Frederic Massara kanë njoftuar përfundimin e marrëdhënies së tyre me klubin kuqezi.
Ndërkohë, këtë të martë, pas një heshtje totale, klubi kuqezi reagoi duke zyrtarizuar lajmet e orëve të fundit.
“Ne e falënderojmë atë për kontributin e tij gjatë këtyre viteve, me rikthimin e Milanit në Ligën e Kampionëve dhe me fitimin e Scudettos në sezonin 2021/22”, shkruhej në komunikatën e Milanit.
Në prag të merkatos së verës, kur disa emra kishin dalë skenë për t’iu bashkuar Milanit, tashmë pronarit amerikan i duhet më parë të zgjedh emrat e rinj me të cilët do të ndërtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. (A2 Televizion)