
Armando Broja përflitet gjithmonë e më shumë si lojtari që do të veshë fanellën e Milanit, për të plotësuar boshllëkun në repartin e avancuar. Sipas “calciomercato”, klubi italian vazhdon të jetë i interesuar për sulmuesin shqiptar, pasi e sheh si njeriun që mund të zgjidhë problemin e golit.
Drejtuesit e klubit kuqezi janë bindur se nuk mund t’i besojnë sulmin vetëm 36-vjeçarit Olivier Giroud dhe Ante Rebic, që ka shfaqur luahtje, ndërsa Divock Origi mbetet ende një enigmë. Për këtë arsye, lojtari i Chelsea-t shihet si një alternativë që duhet ndjekur.
Sipas asaj që shkruan media italiane, Milani nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të shpenzuar 60 apo 70 milionë për një lojtar të vetëm, të konfirmuar, prandaj po kërkon ta zgjidhë problemin me një të ri me perspektivë. Nuk ka ende kontakte mes dy klubeve, por sipas “calciomercato” Chelsea është i gatshëm të hyjë në tratativa, pavarësisht rinovimit të kontratës deri në vitin 2028.
Gjatë verës, Napoli dhe West Ham shfaqën interes, por vlerësimi prej rreth 30 milionë eurosh për Brojën bëri që dy klubet të tërhiqeshin.
Deri tani, Broja nuk ka realizuar asnjë gol këtë sezon, edhe pse nuk ka luajtur titullar në asnjë ndeshje. Por pavarësisht kësaj, “Daily Mail” raporton se trajneri i Milanit, Stefano Pioli, e pëlqen për profilin dhe aftësitë që Broja ka. (A2 Televizion)