Minimumi jetik, propozimi i kushton buxhetit gjysmë miliardi euro në vit

Nga A2 CNN
8 Qershor 2023, 14:07 | Ekonomi
Minimumi jetik, propozimi i kushton buxhetit gjysmë miliardi euro në

Nga pensionistët, tek familjet në skemën e ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës së papunësisë, invaliditetit, e shumë të tjerë. Këta do të ishin përfituesit kryesorë në rast se Shqipëria do të miratonte ligjin për minimumin jetik, një nismë e re në Kuvend, por një ide që qarkullon prej vitesh në vend pa gjetur kurrë dritën jeshile.

200 euro është shuma paraprake që propozohet si minimumi i të ardhurave për gati 750 mijë përfitues, që sot marrin shumë më pak se kjo vlerë, veçanërisht familjet e varfra dhe pensionistët.

Një nga arsyet pse të gjitha qeveritë e kanë refuzuar miratimin e këtij minimumi jetik ka të bëjë me kostot e jashtëzakonshme.

Propozimi i demokratëve nuk e ka të llogaritur efektin financiar në buxhetin e shtetit, madje as minimumin, duke ia lënë në dorë qeverisë të bëjë vlerësimet e saj. Ndërsa barrën kërkon ta shpërndajë, duke nisur fillimisht zbatimin me vetëm 70% të vlerës vitin e ardhshëm, deri në shumën e plotë në vitin 2027.

Sipas llogaritjeve të A2 CNN, arkës së shtetit do t’i duheshin 50.7 miliardë, apo 473 milionë euro në vit për të siguruar vlerën prej 200 eurosh të minimumit jetik. Pjesa më e madhe e kostos do të vinte prej pensioneve, ku mesatarisht shtesa për çdo përfitues do të ishte prej gati 5,100 lekësh në muaj. Shtesa ndërkohë do të ishte më e lartë për familjet me ndihmë ekonomike, që përfitojnë sot mesatarisht vetëm 9,700 lekë në muaj.

Minimumi jetik zbatohet sot në disa shtete në botë, kryesisht në veri të Europës, sipas formulave dhe programeve të ndryshme. Sipas Bankës Botërore, thuajse 1/3 e popullsisë së vendit ndodhet në rrezik të lartë të zhytjes në varfëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos