
Parma-Spal do të luhet. Kështu është vendosur pas diskutimeve mes drejtuesve të Ligës italiane të futbollit dhe autoriteteve shtetërore.
Ndeshja ishte programuar të zhvillohej në 12:30, por pas dekretit të kryeministrit Conte për izolimin e një pjesë të mirë të vendit, mes tyre edhe qyteti i Parmës, ajo u shty, të paktën përkohësisht, pasi do të luhet në 13:45.
Ministri italian i Sporteve, Vincenzo Spadafora, i ka kërkuar Federatës Italiane që të ndërpresë kampionatin. “Nuk ka kuptim të luhet në këtë moment dhe të rrezikohet jeta e lojtarëve, gjyqtarëve dhe tifozëve, që me siguri do të mblidhen për të parë ndeshjet”, citohet ai nga “Gazzetta dello Sport”. “Kjo vetëm për të mos u prishur punë interesave që rrotullohen rreth futbollit”.
Diskutimet vazhdojnë, por edhe pse Parma-Spal do të luhet, sigurisht me dyer të mbyllura, nuk përjashtohet ende mundësia që pjesa tjetër e ndeshjeve të mos zhvillohet. (A2 Televizion)