
Vetëm pas 5 vitesh, borxhi publik i Shqipërisë do të rikthehet në nivelet e parakrizës së tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së Covid-19. Dhe kjo sipas variantit më optimist të qeverisë.
Ministria e Financave ka parashikuar në Programin Afatmesëm Buxhetor 2021-2023, se pritet të ketë një reduktim të borxhit publik në rreth 65 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2025 nga rreth 80 për qind që pritet të rezultojë në 2020.
Një objektiv që do të arrihet vetëm nëse ekonomia ecën me ritmet e parashikuara nga qeveria për sa i përket rritjes apo edhe treguesve të tjerë makroekonomikë, si të ardhurat, shpenzimet dhe deficit buxhetor.
Por kjo nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh se pandemia është ende e pranishme, ndërsa risqe të shtuara për ekonominë pritet të kenë edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Shqipëria ka sot nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon dhe ndër më të lartit në Europë, i vlerësuar në 79.7% në fund të tremujorit të tretë të vitit që lamë pas.
Pandemia, kriza ekonomike, por edhe programi i rindërtimit pas tërmetit e detyruan qeverinë të rriste ndjeshëm huamarrjen vitin e kaluar. Por, pavarësisht thellimit të borxhit, vendi po përballet me një ndër recesionet më të forta, si pasojë edhe e faktit se jo e gjithë shuma e parasë së marrë borxh është hedhur në ekonomi. (A2 Televizion)