Borxhi publik, Shqipëria me nivelin më të lartë në rajon

Nga A2 CNN
22 Janar 2021, 13:43 | Ekonomi

Shqipëria ka sot nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon dhe ndër më të lartit në Europë, i vlerësuar në 79.7% në fund të tremujorit të tretë. Krahasimisht, Mali i Zi llogarit një nivel të ngjashëm prej 79.5%, Serbia 62.2%, Maqedonia e Veriut 42.7% dhe Kosova vetëm 16.5%.

Pandemia, kriza ekonomike, por edhe programi i rindërtimit pas tërmetit e detyruan qeverisë të rriste ndjeshëm huamarrjen vitin e kaluar. Në këtë mënyrë vepruan të gjitha shtetet e prekura, ku sa më e madhe kriza, aq më shumë u detyruan të rrisin borxhin.

Megjithatë, jo e gjithë shuma e borxhit u hodh menjëherë në ekonomi, duke bërë që vendi të përjetonte një recesion të thellë, ndër më të lartët në Europë.

Tashmë qeveria gjendet përballë shumë pasigurive që mund të rrezikojnë më tej stabilitetin financiar; si zgjatja e pandemisë, rikuperimi i dobët i turizmit dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë, vonesat në rindërtim, kursi i këmbimit dhe performanca e dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Realizimi i secilit prej këtyre skenarëve, në një vit zgjedhor, do të detyronte qeverinë të shkurtonte ndjeshëm investimet apo në një rast drastik të rriste taksat për t’i shërbyer këtij borxhi të lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos