
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku zbriti së bashku me kryeministrin Edi Rama në aeroportin e ri të Kukësit, me avionin e parë që zbret zyrtarisht aty.
Ministrja sqaroi sipas saj arsyet se përse fluturimi u nis nga “Nënë Tereza” dhe jo nga Londra, siç ishte premtuar.
“Sigurisht në aviacionin ndërkombëtar ka rregulla, që ne respektojmë se jemi një vend europian dhe si i tillë respektojmë rregullat. Por dua të them që duke nisur nga sot ky aeroport është operacional, dhe nga sot do të nisin testet të gjithë kompanitë, për të provuar pistën dhe validuar proceduarat. “
Sipas Ballukut, “Kukësi do të kthehet në një pikë të re zhvillimi për Shqipërinë. Në datë 17 qershor, aeroporti i Kukësit do te jetë totalisht i përdorshëm për të gjithë kompanitë, që nuk janë të pakta. Do të fluturohet drejt Gjermanisë, Anglisë, Zvicrës, nga qytete nga të cilat nuk fluturohet nga Tirana”.
Ministrja nënvizoi tashmë që planet e qeverisë do të spostohen në Vlorë. “Ne kemi një plan të mirëfilltë kombëtar për aviacionin civil. Ne po hapim kantierin për aeroportin më të madh në Shqipëri, atë ndërkombëtar të Vlorës”. (A2 Televizion)