
Minoritarët kërkojnë kuota në Parlament. Deputeti i Partisë Socialiste, Niko Kuri, parashtroi në seancë plenare kërkesën që përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri të jenë pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore me një synim konkret.
“Pakicat kombëtare në Shqipëri duhet të marrin pjesë në këtë diskutim që në ndryshimet e pritura të gjejë vend kërkesa e tyre për përfaqësim sipas përqindjes respektive në Parlament. Ka ardhur koha që pjesëmarrja e pakicave të jetë e siguruar me ligj në Parlament dhe zgjedhja e përfaqësuesve të bëhet nga vetë pakicat, ashtu siç është në vendet e tjera në rajon apo Europë”, tha ai.
E në një kohë kur vjen një kërkesë e tillë, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka depozitar në protokollin e Kuvendit kërkesën për interpelancë me Edi Ramën.
Kuri dhe Dule janë përfaqësues të minoritetit të zgjedhur nga listat e Partisë Socialiste dhe koalicionit të Partisë Demokratike. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ende nuk po miratohet në Parlament, ndërkohë që socialistët e demokratët veç akordit që duhet të gjejnë për çështjet e tyre gjenden edhe përballë një kërkesë të deputetëve të minoritetit grek. (A2 Televizion)