
Foltorja e Kuvendit u fut të martën në një konkurrencë televizive me një tjetër foltore, atë të Sali Berishës, pasi debati i kryeministrit me Lulzim Bashën nisi njëkohësisht kur nisi edhe fjala e ish-kryeministrit.
Kryefjalë e replikave Rama – Basha nuk ishte buxheti për vitin 2022, por vetë Sali Berisha, i cili vijon të bojkotojë punimet e Kuvendit.
“Edhe pse e njoh atë shumë mirë, kopjen e tij e njoh 1 kilometër larg. Është çështje e mikroçipit. Lulzim hiq mikroçipin se na turpërove të gjithëve me këtë që fole sot”.
“E ke nisur karrierën duke shkruar fjalimet e Fatos Nanos dhe Ilir Metës, po e mbyll duke kopjuar fjalimet e Sali Berishës. Kjo është fatkeqësi e madhe për dikë”, u shpreh Basha.
“Do të digjeni nga bishtat e një cigareje që keni pirë për 30 vjet bashkë”, iu përgjigj Rama.
Pas raundit të parë të replikës, ironitë nga salla nuk munguan.
“Zonja kryetare, foltorja mbaroi mund të kalojmë në votim”, deklaroi Spaho.
Si për ironi të fatit, debati Rama-Basha u kanalizua te marrëveshja e 17 majit 2017, në një kohë kur kryedemokrati akuzohet për një të tillë me kryeministrin.
“The që mjafton t’i kesh qëndruar këtij në një rreze 50 cm për ta kuptuar se s ai dhunshëm është. Po ti ke qëndruar me mua Lulzim nja 6 orë në atë rreze, të kam dhunuar gjë? Kemi kaluar shumë mirë apo jo?!”, u shpreh Rama.
“Mua më ke patur përballë dhe e di shumë mirë se kush i mbante sytë përballë dhe kush i mbante përtokë o hileqar”, u përgjigj Basha.
“Mu kujtua pse u vonuam për të dalë në konferencë për shtyp pasi bëmë marrëveshjen. Më the të lutem vetëm mos qesh”, replikoi Rama.
Pas disa ecejakeve në foltoren e Kuvendit, përplasja përfundoi me largimin e parë të Edi Ramës. (A2 Televizion)