
Parlamenti miratoi në seancën e tretë gjatë periudhës së koronavirusit, aktin normativ të radhës për ndryshime në buxhet, që akomodojnë masat e qeverisë për krizën. Janë 7 miliardë lekë që rialokohen për paketën e zgjeruar të ndihmës ekonomike dhe si fond rezervë.
Akti normativ përfshin edhe rritjen e garancisë sovrane me 15 miliardë lekë, që do të shfrytëzohet nga bizneset për të marrë kredi në banka.
Diskutimet e reduktuara në sallë, u përqendruan jo tek ndryshimet në buxhet, aq sa tek nevoja për një paketë të tretë financiare më gjithëpërfshirëse për rimëkëmbjen e sipërmarrjes.
Përkundër akuzave të opozitës për një mbështetje të ulët financiare, ministri Arben Ahmetaj listoi shumat e akorduara nga qeveria.
Fondi prej 7 miliardë lekësh do të sigurohet duke reduktuar shpenzimet operative me 2.1 miliardë lekë, si dhe përmes kursimeve prej 4.9 miliardë lekësh në investime, kryesisht me shtyrjen e pagesave për projektet e shkollave, projektin e rrugës së Arbrit dhe nga kontratat e inceneratorëve Fier dhe Elbasan. (A2 Televizion)