
Miratohen sanksionet e reja ndaj Rusisë, plani i BE për mbrojtjen e qytetarëve, tavan për çmimin e energjisë
Bashkimi Europian i jep dritën jeshile paketës së tetë të sanksioneve kundër Rusisë. Në të përfshihen një sërë masash ndëshkuese ekonomike, duke nisur nga ndalimi i importimit të disa pajisjeve teknologjike e deri te vendosja e një tavani për çmimin e karburantit që do të importohet nga shteti që nisi luftën në Ukrainë.
Kjo vjen në të njëjtën ditë, kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi planin me pesë pika për mbrojtjen e qytetarëve nga kriza e çmimeve të larta.
Duke folur në parlamentin europian, zyrtarja konfirmoi se blloku me 27 vende anëtare, është gati të aplikojë një tavan në çmimin për importet e gazit të lëngshëm, në një tentativë për të shmangur rritjen e faturave energjetike për qytetarët. Ky do të jetë hapi i parë i reformimit të sektorit energjetik, që do të bëhet duke marrë parasysh dhe shqetësimet e Gjermanisë, se kjo praktikë mund të largojë furnizuesite BE-së.
“Ky tavan i tillë në çmimet e gazit duhet të projektohet siç duhet për të garantuar sigurinë e furnizimit. Dhe është një zgjidhje e përkohshme për t'u kujdesur për faktin se TTF, bursa kryesore e çmimeve, nuk është më përfaqësues për tregun tonë”, tha Ursula vonder Leyen, presidente e Komisionit Europian
Presidentja e Komisionit Europian foli edhe për dëmtimet në gazësjellësit Nord Stream 1 dhe 2, duke kërkuar një monitorim më të mirë të strukturave të tilla në të gjithë bllokun, për të parandaluar akte të tjera të sabotazhit.
“Për herë të parë në histori, infrastruktura jonë energjetike është bërë një shënjestër. Gazsjellësit dhe kabllot nënujore që lidhin europianët dhe kompanitë me mbarë botën, janë linja e shpëtimit në sektorin e të dhënave dhe energjisë. Është në interesin e të gjithë europianëve që të mbrohet më mirë kjo infrastrukturë kritike”.
Ndër masat e propozuara për të garantuar furnizimin e europianëve me energji dhe gaz, BE kërkon një shtim të kapaciteteve të reagimit përmes mekanizmit të mbrojtjes civile. Gjithashtu do të përforcohet bashkëpunimi me NATO-n dhe partnerët kryesorë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të adresuar këto tema kritike. (A2 Televizion)