
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar rregulloren e re të këtij organi të partisë. Në dy nene të rregullores së re, duket se i hapet rrugë zëvendësimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të cilët kanë mbështetur lëvizjen e Sali Berishës, me spostimin e tyre në listë.
Në nenin 8, pika 2, thuhet se “mungesa pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak në tri mbledhje radhazi të Këshillit Kombëtar përbën shkak për zëvendësimin e anëtarit me listën vijuese të anëtarëve të votuar nga Kuvendi Kombëtar i partisë”.
Ndërsa në nenin 15, pika 3, thuhet se “vendet vakante që mund të krijohen plotësohen nga kandidatët vijues sipas votave të marra dhe shortit në rast votash të njëjta”.
Gjatë mbledhjes PD njoftoi se ka kryer edhe disa ndryshime të rëndësishme në organizimin e partisë.
Nga sot, Alfred Rushaj nuk do të jetë më kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vendin e tij do ta zërë Enkelejd Alibeaj, ndërsa vendin e këtij të fundit si nënkryetar i Kuvendit do ta marrë Agron Gjekmarkaj.
Ndryshimet e tjera të miratuara kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit:
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar). (A2 Televizion)