Misteri i “intervistës” së Michael Schumacher 10 vjet pas aksidentit fatal

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 12:57 | Sporte të tjera

Familja e ish-pilotit gjerman të Formula 1, Michael Schumacher po përgatitet të ndërmarrë veprime ligjore kundër revistës “Die Aktüelle”, e cila publikoi një intervistë “ekskluzive” me familjarin e tyre.

Sipas lajmeve nga shtypi britanik dhe gjerman, “Die Aktüelle”, e cila shfaqte një foto të buzëqeshur të Schuamcher në kopertinën e numrit të revistës së 15 prillit, përfshinte fjalët "intervista e parë" dhe "çuditërisht e vërtetë" me shkronja të mëdha.

Shtatë herë kampion i F1, Schumacher pati një aksident gjatë skijimit në dhjetor 2013 dhe që prej asokohe ndodhet në koma. Duke jetuar në Zvicër, Schumacher është përkujdesur nga familja e tij në shtëpi që nga shtatori i vitit 2014 dhe familja e tij po bën përpjekje të mëdha për të mos qenë para kamerave.

Familja e pilotit gjerman po përgatitet të padisë revistën, sipas raportit të BBC, për faktin se intervista e Schumacher e prodhuar me inteligjencë artificiale pasqyrohet sikur të ishte e vërtetë.

Inteligjenca artificiale, e cila zuri vendin e Schumacher dhe iu përgjigj pyetjeve në lidhje me aksidentin në vitin 2013, tha:

“Isha aq shumë i lënduar saqë qëndrova në një lloj koma artificiale për muaj të tërë, sepse përndryshe trupi im nuk do të mund të përballonte gjithë këtë”.

Kur u pyet se si ndihej sot, ai tha:

"Është shumë më mirë se vite më parë. Me ndihmën e ekipit tim, unë mund të qëndroj përsëri në këmbët e mia dhe madje të eci disa hapa ngadalë. Familja dhe fëmijët e mi kanë qenë një bekim për mua dhe nuk mund t’ia dilja pa to”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/19/revista-kritikohet-ashper-per-intervisten-ekskluzive-me-michael-schumacher/?foto=4

A2 CNN Livestream

Latest Videos