
Gjermania është një nga shtetet që kryen testimet më të shumta për personat që dyshohen me koronavirus në botë, ku deri tani janë konfirmuar 67 mijë të prekur dhe 682 persona të vdekur.
Nga Berlini, foli në A2 me “Skype” mjeku shqiptar Fahri Beqa, i cili u shpreh se prej së hënës, në Gjermani janë duke u kryer deri në 400 mijë teste në ditë.
“Testimet kanë ndryshuar nga dita në ditë, në varësi të situatës. Në fillim, ne kemi pasur një numër më të vogël. Aktualisht, kemi një situatë kur numri është rritur shumë dhe testimet janë në ritme të larta. Ne po testojmë jo vetëm personat që kanë një simptomë, por edhe ata që janë persona kontakti, por edhe mjekët në vazhdimësi. Në këtë mënyrë, ne identifikojmë të prekurit dhe ndihmojmë të mos përhapet koronavirusi”, u shpreh Beqa.
Më tej, ai foli edhe për ecurinë e sëmundjes dhe mundësinë e uljes së masave të marra nga autoritetet.
“Ne kemi thënë se diku te 90 përqind e njerëzve nuk do të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Deri tani, në Gjermani kemi 67 mijë raste, të cilët janë dyfishuar për 7 ditë. Ky është një parametër që është shumë i rëndësishëm që tregon ecurinë e sëmundjes. Nëse dyfishimi shkon deri në 14 ditë, mund të ulen edhe masat drastike”, tha mjeku shqiptar që punon në Gjermani. (A2 Televizion)