Për shkak të ndarjes racore, shfaqjet e modës mbaheshin në heshtjen e mediave në Nju-Jorkun e viteve 1950. Megjithatë, Eve Arnold ishte e para që i fotografoi.
Eve Arnold ishte gruaja e parë që iu bashkua agjencisë legjendare, Magnum më 1957, dhe debutimi i saj fotografik u zhvillua në Harlem, në periudhën e ndarjes racore. Në fillim të viteve 1950, Arnold kishte zbuluar se në lagjen e Nju-Jorkut, atëherë një geto e zezë, zhvilloheshin çdo vit më shumë se 300 shfaqje mode, pa u përmendur në gazetat më të njohura. Ajo mundi të kontaktojë një agjent modelingu me ngjyrë, i cili e ka ftuar në disa shfaqje dhe i ka hapur shumë dyer.
Sfilatat u zhvilluan në kisha, bare, restorante, teatro dhe klube nate. Të gjitha veshjet ishin të stilistëve afro-amerikanë dhe për këtë arsye, sfilatat e modës në Harlem ishin jo vetëm një manifestim krenar i kulturës së tyre vendase, por edhe një formë proteste kundër industrisë së modës, nga e cila zezakët ishin plotësisht të përjashtuar.
Arnold frekuentoi këtë botë për më shumë se një vit dhe portretizoi momentet më spontane të prapaskenës: kontrollin e grimit, parukieren, punën e rrobaqepëseve, pritjen e publikut, veshjen e shpejtë. Të gjitha me një kamerë, Rolleicord 40 dollarë, versioni "ekonomik" i Rolleiflex-it të shtrenjtë.
Kur mbaroi puna, reportazhi i tij u vlerësua tepër skandaloz nga gazetat amerikane. U botua vetëm nga Picture Post në Londër, në vitin 1951. Dhe të mendosh që edhe sot mbetet një dokumentacion i fuqishëm i një kulture të gjallë “klandestine”, e krijuar në një epokë ndarjeje në të cilën përfaqësimet pozitive të komuniteteve me ngjyrë, ishin të rralla. (A2 Televizion)