Mohoi masakrën e Reçakut, gjykata në Kosovë dënon anëtarin e Listës Serbe me burg

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 19:59 | Kosova

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me një vit burg zyrtarin e Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviç, për mohimin e masakrës së Reçakut.

Në vendimin e marrë në seancën e rigjykimit thuhet se ish-ministri dënohet “për përhapje të urrejtjes dhe jo tolerancës”, dhe këtë e konfirmoi dhe vetë avokati i tij i mbrojtjes.

Në Reçak, forcat serbe ekzekutuan 45 burra shqiptarë të asaj zone, moment tragjik që solli më pas reagimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të forcave të NATO

Çështja gjyqësore kundër tij u ngrit pasi në mars të vitit 2019 për këtë deklaratë të tij: “Arsye për agresionin e NATO-s kundër vendqëndrimeve të ushtrisë jugosllave në vitin 1999 ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Për vendimin e gjykatës reagoi menjëherë Lista Serbe, duke e konsideruar dënimin me burg, “një tentativë për persekutim të serbëve në Kosovë”. Avokati mbrojtës konfirmoi se vendimi do të ankimohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos