Mjerimi dhe trishtimi që Covid-19 ka shkaktuar në Shtetet e Bashkuara ndihet çdo ditë e më shumë teksa përmasat e pandemisë bëhen më tragjike me numrin e viktimave që po i afrohet 200 mijë.
Phil Suarez, mjek në Nju Jork, ka qenë çdo ditë në linjën e parë në luftë me atë që cilësohet si koronavirusi i ri dhe për 8 javë në muajt e parë të shpërthimit të pandemisë, mars-prill, ka punuar me turne 16-orëshe, me thuajse të gjithë pacientët e tij me simptoma të forta të Covid-19.
“Ka qenë një nga eksperiencat e mia më të thella në këtë punë, teksa jam munduar të shpëtoj jetë njerëzore. Dhe nuk e them me lehtësi sepse ka qenë vërtet një zonë lufte. Unë kam punuar në Haiti pas tërmetit atje, kam punuar në Pakistan pas tërmetit, por humbja e jetës në një kohë kaq të shkurtër, pasi dua të them që s’ka pasur dhunë fizike apo diçka e tillë, ka qenë dërrmuese. Është e pabesueshme se sa njerëz kanë humbur jetën në shtëpi, me të cilat ne nuk jemi mësuar. Pastaj humbja e jetës në punë, nga njëra emergjencë në tjetrën. Sapo e dëgjonim në radio, bëheshim gati për urgjencën e radhës. Kishim vazhdimisht njerëz që vinin me atak në zemër, arrest kardiak, që mezi merrnin frymë dhe kërkon vetëm që t’i japësh mbështetje dhe ndihmë. Është e tmerrshme”, tha Phil Suarez, mjek në Nju Jork.

Brenda 24 orëve, vetëm në qytetin e Nju Jorkut, 911 merr nga 3500 deri në 4500 telefonata emergjence, rrëfen Suarez. Dhe këto shifra sipas mjekut kanë ardhur në rënie pasi në pikun e pandemisë, në një ditë, merrnim mbi 7200 telefonata për ndihmë. E vetmja herë që doktor Suarez kujton me një fluks kaq të frikshëm telefonatash për 24 orë, ka qenë dita e sulmeve të 11 shtatorit, ku asnjë nuk po kuptonte çfarë po ndodhte.
“Është e pabesueshme. Sistemi ynë nuk e përballon dot. Madje sistemi ka pësuar shpeshherë kolapse, për orë të tëra, aq sa arritëm të përcaktojmë prioritete, duhej të merreshim vetëm me emergjencat e atyre që rrezikonin jetën. Pacientët e kishin të vështirë madje edhe të siguronin një ambulancë, e cila te pacienti në gjendje kritike arrinte pas 3 apo 4 orësh. Ishte e vetmja gjë që mund të bënim”, kujton Suarez.
Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara nuk janë aspak optimistë për situatën dhe parashikojnë se deri në fund të vitit 2020, numri i viktimave mund të arrijë në 415 mijë, shumë afër me ushtarët amerikanë që ranë dëshmorë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Teksa numri i rasteve ditore që raportohen në Shtetet e Bashkuara është në rënie, së paku që prej muajit korrik, doktor Suarez thotë se publiku duhet të qëndrojë akoma shumë por shumë vigjilent dhe për asnjë moment nuk duhet të ndihet i shpëtuar nga korona. Rreziku është shumë i lartë. Por ai pranon se prej muaj nuk ka parë asnjë rast të rëndë të pacientëve me Covid.
“Dua të jem i sinqertë me ju, prej muajsh nuk kam parë asnjë rast të rëndë me Covid dhe kjo është e jashtëzakonshme. Por ne vazhdojmë kontrollet, grafitë. Siç ju e dini, sot mund të jesh me Covid dhe të jesh asimptomatik, por duhet skanuar çdo pacient. Kemi marrë çdo masë parandaluese. Duhet të mbajmë maskat. Duhet të ruajmë distancën sociale, duhet të shmangim grumbullimet sociale apo takimet me njerëzit që nuk mbajnë një maskë. Dhe sërish them, njerëzit që punojnë apo ata që përdorin çdo ditë mjetet e transportit publik që janë ndër rreziqet më të mëdha për të gjithë ne, duhet të bëjnë kujdes. Kujdes në atë çka prekni. Duhet të jeni shumë, shumë vigjilentë”.

Sot, në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportohen çdo ditë rreth 50 mijë raste të reja të personave që preken nga Covid-19, por për mjekët, ata që qëndrojnë në vijën e parë të luftës me koronavirusin, angazhimi e trishtimi, është po i njëjtë, edhe pse shifrat flasin për lehtësim të situatës.
“Mendoj se ajo çka e bën shumë të frikshëm këtë virus është fakti që ti nuk e sheh. Thjesht e dimë që ekziston. Që prej fillimit të muajit mars, e kam parë kudo. E kam parë një ambulancë. E kam parë në një çantë pazari. E kam parë kudo. Kjo na ka bërë më të trishtueshëm, na ka bërë që ne të mendojmë çdo gjë dy herë, edhe kur prekim fytyrën tonë. Me shumë gjasë, sot të gjithë i lajmë duart më shpesh apo të gjithë kemi një shishe dezinfektanti me vete. Por mendoj se ajo çka virusi na mësoi është që të jemi më humanë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është ajo çka unë kam parë vazhdimisht në lagjet e Nju Jorkut këto muaj”, thotë Suarez. “Ka raste që kur flas me njerëzit, e kam shumë të vështirë të flas për koronavirusin. Dhe kjo zakonisht është shenjë e njëlloj trauma, sikur ulesh dhe e mohon çfarë po ndodh. Mendoj se është një traumë brenda secilit prej nesh dhe që ndoshta kurrë nuk do largohet”.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur nga koronavirusi, që prej muajit shkurt, duke numëruar thuajse ¼ e numrit total të viktimave në mbarë botën. (A2 Televizion)