Vendimi i Kushtetueses, Tedi Blushi: Fitore e shtetit të së drejtës, por Veliaj duhet të ishte dënuar 8 vite më parë

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 18:16 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që la në krye të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, ishte një fitore e shtetit të së drejtës.

Komentet Blushi i bëri përmes një lidhjeje nga Kuvendi për ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se Rama ka tentuar të vendosë disiplinë ushtarake brenda shtetit.

Blushi shtoi gjithashtu se Veliaj duhet të ishte dënuar nga drejtësia të paktën 8 vite më parë, për aferën e inceneratorëve.

“Gjykata Kushtetuese nuk jep pafajësi në raport me veprat penale që mund të kesh konsumuar. Gjykata Kushtetuese është një institucion që qëllim të vetëm ka interpretimin e drejtë dhe të ndershëm të Kushtetutës.

Them që është një fitore e shtetit të së drejtës, ku regjimi mori përgjigje për përpjekjet antikushtetuese për të vendosur disiplinë ushtarake brenda shtetit, ku është kryeministri i cili ashtu siç mund të shkarkojë vartësit e tij, nuk mund të shkarkojë më një kryetar bashkie, pavarësisht emrit që ai ka dhe kusureve që ai mund të ketë në raport me qytetarët apo financat publike.

Veliaj duhet të ishte dënuar të paktën 8 vite më parë që kur u bë publike firma e tij e kundraligjshme që i hapi udhën inceneratorit fantazmë të Tiranës. Veliaj është një delinkuent që duhet të marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia, e cila po e heton atë vetëm për akuza banale dhe jo për ato që ai duhet të mbajë përgjegjësi”, tha mes të tjerash Blushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos