Spanja kufizon 850 mijë banorë, Britania i druhet një izolimi të ri: Vala e dytë po vjen

Nga A2 CNN
19 Shtator 2020, 11:52 | Bota
Spanja kufizon 850 mijë banorë, Britania i druhet një izolimi

Në Spanjë kthehet izolimi, edhe pse jo në nivel kombëtar. Rritja e rasteve ditore me Covid-19, detyron 850 mijë banorë të Madridit të zbatojnë kufizimet e reja.

Duke nisur nga e hëna, udhëtimet mes rajoneve janë tepër të reduktuara dhe njerëzit nuk duhet të qëndrojnë në grupe të mëdha. Spanja raporton numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në Europë. Shumë vende të hemisferës veriore po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë me afrimin e dimrit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, në mënyrë që të ulet niveli i përhapjes. Franca regjistroi numrin më të lartë të rasteve ditore, që prej shpërthimit të pandemisë. Ndërsa, Britania e Madhe është vënë në lëvizje për të reduktuar sa më shumë efektet e një valë të dytë, e cila në këto momente duket e pashmangshme.

“E kemi parë në Francë, në Spanjë dhe kudo përreth Europës. Kam frikë se kjo është e pashmangshme dhe vendi do të përjetojë një valë të dytë. Prandaj ndërmorëm ato masa që hynë në fuqi të hënën”, Boris Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe.

Kryeministri britanik theksoi se dëshiron të mbajë hapur shkollat dhe ekonominë e vendit, por bëri me dije se qeveria e tij po shqyrton ashpërsimin e masave kufizuese. Për momentin, Johnson përjashtoi vendosjen e një izolimi total dhe thekson se do të jetë një zgjedhje që do të përdoret vetëm në raste ekstreme. Për ta shmangur atë, shefi i qeverisë së Londrës kërkoi respektimin e masave në fuqi, distancimin social dhe rregullat bazë higjieno-sanitare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos