
Drejtuesit e talebanëve i kanë dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me anë të së cilës kërkojnë të jenë pjesë e Asamblesë së Përgjithshme që po zhvillon punimet vjetore këtë javë në Nju-Jork.
Talebanët e njoftojnë sekretarin Guterres, se ambasadori i Afganistanit në OKB përfaqëson qeverinë e Ashraf Ghani, i rrëzuar tashmë nga pushteti prej 15 gushtit dhe për këtë arsye ai duhet të zëvendësohet, duke i dërguar dhe emrin e ri.
Drejtuesit e Afganistanit duan të dërgojnë si ambasador Mohammad Suhail Shaheen, i cili ka qenë zëdhënës i talebanëve dhe gjatë negociatave të paqes që u zhvilluan në Katar.
Për kërkesën e Afganistanit është njoftuar dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, por ende nuk ka një reagim zyrtar për këtë çështje. (A2 Televizion)