Moska bëhet gati për paradën e fitores, Londra: Putin mund të shpallë mobilizim masiv të rezervistëve

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 12:52 | Bota
Moska bëhet gati për paradën e fitores, Londra: Putin mund

Britania e madhe parashikon se Vladimir Putin do të shfrytëzojë Paradën e Ditës së Fitores më 9 maj, për t’iu shpallur luftë të re nazistëve në botë. Ministri i Mbrojtjes në Londër, Ben Wallace, tha se Moska mund të njoftojë një mobilizim masiv të rezervistëve për një shtysë finale të ofensivës në Ukrainë. Analistët kanë parashikuar se shefi i Kremlinit kërkon të jetë në pozicionin ku të deklarojë një lloj fitoreje në ditën simbolike të 9 majit.

Por ndërsa parada është pak ditë larg, dhe rezistenca ukrainase po frenonin progresin e ushtrisë ruse, kjo duket se ka pak gjasë të ndodhë.

“Nuk do të befasohesha nëse Putin do të shfrytëzonte rastin për të shpallur një luftë të re. Ai mund të thotë në 9 Maj se Rusia është në luftë me Nazistët botërorë dhe se nevojitet një mobilizim masiv i popullit rus”, tha ministri Sekretar i Mbrojtjes në Britaninë e Madhe.

Wallace shtoi se duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë ndihmë efikase Ukrainës, për t’i mundësuar sprapsjen e trupave ruse.

Sekretari i Mbrojtjes kritikoi ato që i quajti përpjekje patetike të Kremlinit për të mbuluar humbjet dhe shtoi se mobilizimi i rezervistëve do të ishte një pranim i dështimit nga ana e Rusisë. Moska ka nisur përgatitjet për paradën ushtarake të 9 majit. Tanket pushtuan të enjten qendrën e kryeqyteti Moskë, ndërsa zhvilloheshin provat për ceremoninë e ditës së fitores.

Parada, e cila është një ngjarje vjetore në Moskë, shënon mundjen e Gjermanisë naziste dhe fundin  e Luftës së Dytë Botërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos