
Çelësi për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë gjendet në Uashington. Kështu pretendon zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili mbështeti deklaratat e ish presidentit amerikan, Donald Trump, se po të ishte ai në krye të Shtëpisë së Bardhë, konflikti do të zgjidhej brenda 24 orëve.
“Ndoshta, teorikisht, zoti Trump nuk është larg së vërtetës. Presidenti amerikan nëse dëshiron vërtetë që t’i japë fund këtij konflikti, mund ta bëjë atë shumë shpejt, duke përdorur, le të themi, aftësinë e tij për t’i dhënë urdhra regjimit të Kievit. Megjithatë, po shohim se kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë nuk dëshiron ta përdorë këtë ‘çelës’, përkundrazi, ai zgjedh rrugën e pompimit të mëtejshëm të armëve në Ukrainë, e kështu me radhë”, tha Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit pajtohet edhe me një deklaratë tjetër të Trump, që furnizimi i Ukrainës me tanke perëndimore përshkallëzon konfliktin, duke aluduar se pas tyre, në Kiev mund të arrijnë dhe armët bërthamore. Në terren, raketat ruse vijojnë të sjellin shkatërrim dhe kaos.
Ukraina njoftoi se gjatë orëve të fundit, të paktën 70 raketa u lëshuan në drejtim të objekteve të sistemit energjetik dhe se të paktën 11 persona u vranë në mbarë vendin.
Shpërthime janë raportuar edhe pranë centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Bombardimet janë konfirmuar edhe nga ministria ruse e mbrojtjes, që pretendon se me anë të tyre ka shkatërruar armë dhe municione ukrainase, por edhe të NATO-s.
Ndërkohë, në ditën e kujtesës për viktimat e holokaustit, dy presidentët shkëmbyen akuzat për krime neonaziste. Rezistencën e Ukrainës dhe ndihmat perëndimore për Kievin, Vladimir Putin i Rusisë i konsideroi një tentativë për të ndryshuar rolin e ushtrisë së kuqe në fitoren e madhe të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa Volodymyr Zelensky i Ukrainës rikujtoi se “indiferenca vret së bashku me urrejtjen”. (A2 Televizion)