
Mosrimbursimi i TVSH-së ka krijuar penalitete të mëdha për sipërmarrjen shqiptare. Eksperti Violdi Danaj ka komentuar në studion e A2 Business të Aurora Sulçes, arsyet pse qeveria po vonon shlyerjet dhe ndikimin që mungesa e këtyre parave ka tek bizneset.
Sipas Danajt, situata është e përkeqësuar tek eksportuesit, të cilët me mungesën e likuiditetit, po detyrohen të shpenzojnë nga fitimet e tyre. Njëkohësisht, kjo sjell mosrespektimin e kontratave të lidhura me partnerët tregtarë, diçka që shoqërohet me penalitete shtesë.
Kombinuar me efektet e zhvlerësimit të euros, eksperti deklaron se bizneset po marrin masa mbrojtëse si shkurtimi i fuqisë punëtore. Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi skemën e mashtrimit me TVSH-në, ku biznese fiktive përfituan 18 miliardë dollarë nga buxheti i shtetit. (A2 Televizion)