
Era deri në 80 km/h e shoqëruar me rrebeshe shiu, që pushtuan bregdetin e Himarës mëngjesin e kësaj të mërkure kanë shkaktuar një tragjedi. Një grua, ka mbetur e mbytur, pasi varka në të cilën ndodhej së bashku me tre anëtarët e tjerë të familjes, dy djemtë dhe bashkëshortin, u përmbys si pasojë e furtunës që përfshiu zonën.
Katër anëtarët e familjes kishin dalë në det me një mjet të vogël lundrues për të mbledhur rrjetat e peshkimit, por furtuna i ka zënë në det. Fatmirësisht një nga pjesëtarët e familjes ka arritur të kërkojë ndihmë dhe policia kufitare, në bashkëpunim me rojën bregdetare si dhe një mjet turistik, i kanë ardhur në ndihmë duke nxjerrë në breg tre prej katër anëtarëve të familjes, babain dhe dy djemtë.
Fatkeqësisht, operacioni i kërkimit nuk arriti të gjejë në kohë gruan, e cila është gjetur e mbytur pa jetë disa orë më pas, 1 milje larg bregut të Dhërmiut. Ndërsa një prej djemve është nisur me urgjencë drejt spitalit të Vlorës për ndihmë të mëtejshme mjekësore. Për gjetjen e gruas, u angazhuan forca të shumta të policisë kufitare dhe rojës bregdetare.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, e gjithë vija bregdetare e vendit u pushtua nga erëra të forta dhe rrebeshe shiu. Edhe pse një situatë e tille ishte njoftuar më parë, veçanërisht në bregdetin e jugut, sërish nuk munguan ngjarjet e rënda me pasoja fatale për jetën e njeriut.
“Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare. Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në qytetin e Himarës. Pushuesit e shumtë kanë boshatisur plazhet, pasi era e fortë ka shkulur edhe çadrat e plazheve. Në orët e para të mëngjesit edhe nga pamjet, edhe deti është mjaft i dallgëzuar. Kapitaneria e Vlorës ka njoftuar bllokimin e daljes në det të mjeteve të vogla lundruese.
Ndërkohë, reshjet e shiut kanë prekur thuajse të gjithë vijën bregdetare të vendit. Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Velipoja gjithashtu janë zgjuar nën pushtetin e shiut. Ndërkohë reshjet kanë prekur edhe zonën e Kukësit, kanë krijuar probleme kryesisht në qarkullimin e mjeteve. Situata me reshje ka ndihmuar veçanërisht zonat ku prej disa ditësh ishin aktive vatrat e zjarreve, duke i shuar ato. (A2 Televizion)