Mr Bean, fenomeni i rrjeteve sociale, kalon në Facebook edhe Justin Bieber e Rihanna

Nga A2 CNN
3 Tetor 2020, 23:06 | Lifestyle

Mr Bean, një nga personazhet ikonë në historinë e televizionit, falë sharmit të tij komik dhe sjelljes fëmijërore, ka fituar “zemrat” edhe të të rinjve.

Personazhi komik, i luajtur nga aktori britanik Rowan Atkinson, është shndërruar në një nga faqet më të ndjekura në rrjetet sociale. Vetëm në Facebook, profili me emrin Mr Bean ndiqet nga 99 milionë persona në të gjithë botën, duke kaluar edhe personazhe tejet të famshëm dhe të dashur për publikun, si Rihanna me 79 milionë ndjekës dhe Justin Bieber me 76 milionë.

Mr Bean, i cili është shfaqur për herë të parë në televizion në vitin e largët 1990, ka edhe 7,5 milionë ndjekës në Instagram, 2 milionë ndjekës në TikTok dhe më shumë se 30 milionë në YouTube.

Zëvendëspresidenti i kompanisë “Banijay Rights”, e cila ka të drejtat e Mr Bean dhe kontrollon edhe llogaritë në mediat sociale, u shpreh për “The Times”: “Komedia është për të gjithë. Asaj mund t’i rikthehesh me dhjetëra herë dhe sërish nuk të mërzitet”.

Dy vite më parë, Atkinson u shpreh se nuk do të kthehej sërish në rolin e Mr Bean, pasi ndjente se kishte bërë gjithçka që mundej me karakterin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos