
Pas gati dy dekadash pa një qeveri, Belgjika ka më në fund një koalicion të ri, dhe zëvendëskryeministri i ri i vendit është politikani transgjinor me postin më të lartë në rajon.
Petra De Sutter, nga Partia e Gjelbër Flamande, u betua para Mbretit të enjten, pasi pranoi detyrën e re. De Sutter, pjesëtar i Parlamentit Europian që prej korrikut 2019, është një nga gjashtë zëvendëskryeministrat e vendit, raporton Reuters.
De Sutter është profesore e gjinekologjisë, e specializuar në fertilizim, në Universitetin e Gentit. Ajo është mbrojtëse e të drejtave të personave transgjinorë dhe riprodhimit, si dhe ka folur hapur për eksperiencën e saj si një grua transgjinore.
“Isha 40 vjeç kur vendosa që të shndërrohesha plotësisht në gruan që gjithmonë kam qenë. Dhe për shkak të këtij vendimi humba kolegë, njerëz që njihja e madje edhe miq”, tha ajo në një intervistë në faqen e saj në internet. “Jo të gjithë kanë fatin që pata unë, pasi u pranova në ambientin ku punoja dhe nga partneri im. Në fakt, shumë pak vetë në situatën time kanë pasur këtë fat. Prandaj duhet të bëj diçka për ata që nuk e kanë këtë fat”.
De Sutter është kthyer tashmë personi transgjinor me postin më të lartë politik në Europë. Marie Cau u bë politikanja e parë transgjinore e Francës kur u zgjodh kryetare e Bashkisë së qytetit Tilloy-lez-Marchiennes, ndërsa politikani transgjinor Gianmarco Negri mori drejtimin e bashkisë së Tormello-s vitin e kaluar. (A2 Televizion)